Avokati i njohur, Tomë Gashi, ka reaguar lidhur me bastisjet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në shtëpitë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilat po vazhdojnë akoma, njofton Insajderi.
Gashi ka thënë se Policia e Prokurorisë Speciale në Hagë dhe Njësia e Specializuar e Policisë së EULEX-it mund të bastisin secilën shtëpi të qytetarëve të Kosovës, sepse, sipas tij, kështu kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Këto njësi të policisë së specializuara nuk mund të bastisin asnjë shtëpi dhe nuk mund të arrestojnë asnjë serb të dyshuar për krime të luftës, asnjë serb që gjatë luftës ka vrarë fëmijë dhe shqiptarë civil të paarmatosur, asnjë serb që ka dhunuar dhe ka bë kërdi në Kosovë deri në gjenocid kundër nesh, sepse ju kështu keni votuar”.
Gashi ka deklaruar se do të ketë edhe bastisje të tjera të ngjashme në së paku 10 vitet e ardhshme, duke shtuar se Gjykata Speciale dalëngadalë po i shndërron shqiptarët nga viktima të luftës në agresorë.
“Skena të tilla si të sotme, por edhe më të rënda do të shohim së paku edhe 10 vitet e ardhshme, sepse ju kështu keni votuar”, ka shkruar ai në Facebook. /Insajderi.com