Gastronomët i reagojnë Qeverisë: Jemi para falimentimit, është momenti i fundit që ta ktheni kokën nga ky sektor

Gastronomët i reagojnë Qeverisë: Jemi para falimentimit, është momenti i fundit që ta ktheni kokën nga ky sektor

Me vendosjen e masave të reja nga Qeveria e Kosovës me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë Covid-19, në disa vende të Kosovës është ndaluar puna në fushën e gastronomisë nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, gjë që ka ngjallur reagime të shumta.

Së fundmi, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka reaguar ndaj Qeverisë, duke thënë se ky sektor është para falimentimit.

“Është ky momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili eshte një hap para falimentimit. Ndihmën që e meritojmë e na takon, s’po e kërkojmë për vete, po e kërkojmë për biznes, që të mbijetojmë sot, e nesër të vazhdojmë kontributin në ekonomi e turizëm, siç e kemi bërë deri tash“, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Ndër taksapaguesit me të mëdhenjtë, i dyti për nga numri i punësimit, krenaria e Prishtinës – sektori i gastronomisë, para falimentimit!!!

Të parët që u mbyllën në muajin mars, qe një muaj e gjysmë me vetëm një pjese të sektorit duke punuar dhe tanimë edhe në orar të shkurtuar.

Edhe pse ndihmën që kemi pranuar nga shteti s’mund ta quajmë as lëmoshë – për 4 muaj e gjysmë një ndihmë 170€ që i shkon stafit, dhe gjysmën e një qiraje, ne prapë kemi vazhduar me pagesën e taksave dhe jemi munduar në maksimum t’i mbajmë punëtoret e mos t’i largojmë nga puna.

Në këto momente krize e presioni do të duhej të ishte shteti ai që na e zgjatë dorën, e ai as më të paktën nuk po e bën – nuk po e ndal madje as presionin, po shkon duke e shtuar atë. Kërcënim për gjoba në rast vonese të pagesës së tatimit e inspektorë tërë kohen në terren!

Është ky momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili është një hap para falimentimit. Ndihmën që e meritojmë e na takon, s’po e kërkojmë për vete, po e kërkojmë për biznes, që të mbijetojmë sot, e nesër të vazhdojmë kontributin në ekonomi e turizëm, siç e kemi bërë deri tash. /Insajderi.com/