Gastronomet kërkojnë lejimin e veprimtarisë “delivery” pas orës 19:00

Gastronomet kërkojnë lejimin e veprimtarisë “delivery” pas orës 19:00

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka kërkuar që të lejohen shërbimet të dërgesës me porosi (delivery) pas orës 19:00 edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë, njofton Insajderi.

Shoqata ka theksuar se shërbimet delivery jo vetëm që nuk paraqesin rrezik për shpërndarje të virusit, por edhe ndihmon njëkohësisht ata të cilët prej orës 19:00 deri në orën 05:00, janë në vijën e parë të frontit në luftimin e kësaj pandemie, mjekët me stafin e tyre, policinë e shtetit, dhe institucione të tjera përkatëse të cilët kanë nevojë të porosisin ushqim gjatë këtij orari.

“Lejimi i shërbimeve të dërgesës me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë, mundëson një qasje në shërbime të sigurta lidhur me mospërhapjen e infeksionit të COVID-19, dhe ndikon në uljen e ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi”, thuhet në postimin e shoqatës në Facebook.

Gastronomët tutje kanë sqaruar se në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës të datës 11.11.2020, ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në 05:00 në komunat me rrezikshmëri të lartë.

“Shprehimisht në këtë vendim nuk ndalohet shërbimi me porosi ‘Delivery’, mirëpo gjithsesi shprehimisht lejohet ushtrimi i këtij shërbimi në zonat komunale të tjera”, thuhet tutje në publikimin e tyre./Insajderi.com