Gastronomët: MSH po tregohet e papërgjegjshme në moslejimin e ahengjeve

Gastronomët: MSH po tregohet e papërgjegjshme në moslejimin e ahengjeve

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e ka quajtur papërgjegjësi “vonesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës” në marrjen e vendimit për mundësimin e organizimit të ahengjeve familjare.

Sipas tyre, ky vendim është pritur të merrej më 15 qershor.

“Tanimë jemi me datën 21 dhe kjo tregon për mospërgjegjësinë dhe pakujdesinë e institucioneve në raport me gjendjen e jashtëzakonshme ekonomike që po kalon vendi ynë. Duke theksuar edhe mospërmbushjen e zotimeve të të gjitha qeverive që janë marrë me menaxhimin e pandemisë në kuptim të mbështetjes financiare, ku çdoherë ka numër të konsiderueshëm të bizneseve që nuk përfitojnë nga to, përkundër faktit që kualifikohen për të përfituar nga pakot emergjente”, thuhet në reagimin e Gastronomëve në Facebook.

Nga kjo shoqatë tutje kanë thënë se janë duke kërkuar sqarim dhe vendimmarrje efikase “në këtë periudhë të ndjeshme për sektorin e gastronomisë, por fatkeqësisht roli i institucioneve të vendit është jokonstruktiv në këtë drejtim”.

“Çdo ditë është esenciale, dhe çdo vonesë është kritike për ne! Andaj, urgjentisht ju bëjmë thirrje që të merret një vendim i tillë! Vendim që do ti hapë rrugët e shterimit të diskutimeve sa i përket organizimit të festivaleve, funksionimit të klubeve të natës, pishinave, etj. ZGJOHUNI!! ERDHI VERA!!”./Insajderi.com