Gati 900 personave iu është konfirmuar statusi i viktimës së dhunës seksuale

Gati 900 personave iu është konfirmuar statusi i viktimës së dhunës seksuale

Janë bërë tri vite që kur Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Personave të Dhunuar në luftë ka filluar punën. Që nga ajo kohë, gjithsej 1338 persona kanë aplikuar në nivel vendi, ndërsa statusi iu është njohur vetëm 894 prej tyre.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e këtij komisioni, Minire Begaj-Balaj.

“Ne tashmë në shkurt të vitit 2021 bëjmë tri vite që kemi filluar zyrtarisht si komision. Deri më tani i kemi 1338 raste që kanë aplikuar në komision në nivel të Kosovës. Atyre që ua kemi njohur statusin janë 894 ku shumica janë gra, derisa kemi edhe 31 burra që ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, tha Begaj-Balaj.

Derisa ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka propozuar që të rishikohet afati prej pesë vjetësh për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Begaj-Balaj në Info Magazine të Klan Kosovës tha se punojnë bazuar në afatin ligjor aktual dhe mbetet të shihet nëse ky afat do të hiqet ose ndryshojë në të ardhmen.

“Sipas ligjit në fuqi, afati ligjor për ata që duan të aplikojnë dhe ta fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet. Ky është afat ligjor prej momentit kur ne kemi nisur punën zyrtarisht si komision”, tha tutje ajo./Insajderi.com