Gati dy vjet anëtare e KD të UP-së në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit

Laura Kryeziu – Selimi për afro dy vjet e ka ushtruar postin e anëtares së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Gati dy vjet anëtare e KD të UP-së në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit

Përmes një vendimi të nxjerrë ditë më parë nga Agjencia Kundër Korrupsionit konstatohet se Kryeziu ka pasur konflikt interesi pasi në të njëjtën kohë ushtronte disa funksione publike, shkruan Koha Ditore.

Përveç angazhimit në KD të UP-së, ajo ka mbajtur edhe pozitën e drejtoreshës ekzekutive në organizatën joqeveritare “Leadership and Growth Council” (LGC), pozitën e anëtares së bordit në “RIT Kosova” dhe të anëtares së bordit në “Milenium Foundation Kosova”.

Pas rekomandimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, javë më parë ajo ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës ekzekutive në organizatën joqeveritare (LGC) e nuk është më as anëtare e bordit në “RIT Kosova” dhe anëtare e bordit në “Milenium Foundation Kosova”.

Në shkurt të vitit të kaluar, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, e ka emëruar Laura Kryeziu-Selimin në Këshillin Drejtues të UP-së, bashkë me tre anëtarët e tjerë.

Sipas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, rasti i hetimit ndaj Kryeziu-Selimit ka nisur pas informatave nga një denoncues anonim për dyshimet se ajo mban edhe disa pozita të tjera kyç.

“Agjencia Kundër Korrupsionit duke vepruar sipas detyrës zyrtare, pas informacionit të siguruar ka vlerësuar se duhet filluar procedura e trajtimit të rastit për zyrtaren e lartë, znj. Laura Kryeziu-Selimi, anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, pasi që e njëjta gjatë ushtrimit të funksionit publik si anëtare e Këshillit drejtues të UP-së, drejtoreshë ekzekutive në organizatën joqeveritare ‘Leadership and Growth Concil’ (LGC), anëtare e bordit në ‘RIT Kosova’ dhe anëtare e bordit të ‘Milenium Foundation Kosova’ e që sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik kjo situatë paraqet papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik, përkatësisht konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.

Kundërkorrupsioni ka theksuar se e ka njoftuar zyrtaren e lartë me shkresë se ka filluar procedura e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit dhe se ka të drejtë në afatin prej 15 ditësh të njoftohet me faktet që posedon ky institucion.