Gaxherri flet nëse Vjosa Osmani është e denjë për ta drejtuar LDK-në

Gaxherri flet nëse Vjosa Osmani është e denjë për ta drejtuar LDK-në

Besa Gaxherri, deputete e LDK-së, ka folur rreth rënieve dhe ngritjeve me të cilën është përballur partia që pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Ajo në një intervistë në RTV Dukagjini, ajo ka thënë se Isa Mustafa e ka marrë LDK-në në situatë të vështirë dhe ka arritur ta rikthejë atë në gjendje stabile.

“Nga viti 2006 me vdekjen e presidentit, pas plasaritjeve, LDK u nda në dysh. Ajo ka qenë një hendek i madh për LDK-në dhe vet Kosovën. Mendoj që Isa Mustafa e ka marrë LDK-në në gjendje të vështirë dhe ai ka arritur ta kthejë LDD-në prapë në LDK. Kjo nuk ka mundur t`i japë rezultatet brenda ditës, por unë e përgëzoj që ai ka arritur t`i bashkojë këto dy forca. Kemi pasur rënie e ngritje”, ka thënë ajo.

Gaxherri ka folur rreth liderit të ardhshëm të LDK-së. Ajo ka thënë se partia e saj e zgjedhë liderin në mënyrë demokratike dhe se aty mund të garojë secili.

E pyetur rreth kandidimit të mundshëm të Vjosa Osmanit si kryetare e LDK-së, deputetja nuk ka dhënë një përgjigje të prerë.

Ajo ka thënë se vlerësimi nëse Osmani është lidere e mirë apo jo, do jepet me votë nëse ajo kandidon.

Por, Gaxherri nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e saj si kryetare e ardhshme e LDK-së.

“Fatbardhësisht LDK ka shumë njerëz me përvojë, të përgatitur, që kanë dhënë kontributin e tyre. Është krijuar mundësia me pas mundësi me garu secili. Unë s`mund të them që Vjosa është kandidate e mirë. Ajo mund të vlerësohet me votë.  Në vend të saj, pse të mos jem unë? Ne secili kemi kontributin në zhvillimin e këtij subjekti politik”, ka thënë ajo.

Tutje, Gaxherri ka thënë se LDK me zgjedhjet lokale të 22 tetorit është bindur se është në rrugë të mbarë.