Gazeta austriake “Der Standard” ka shkuar një koment ku ka thënë se Shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, postimet në Twitter po ia shkruan Beogradi, transmeton Insajderi.com.
Këto komente gazeta i ka bërë lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore kundër kontrabandimit të mallrave, teksa shton se Borrell, nuk e përkrahu shtetin ligjor të Kosovës, por e kritikoi atë për gjoja “masa të pakoordinuara”.
“Përballë këtyre përpjekjeve të koordinuara për destabilizim BE nuk reagoi me vërejtje të qarta, por e përkeqësoi situatën edhe më shumë. Kryediplomati i BE-së Josep Borrell nuk e përkrahu shtetin ligjor kosovar, por kritikoi policinë kosovare për shkak të gjoja ‘masave të pakoordinuara’. Me sa duket atij Beogradi po ia dikton postimet në Twitter dhe ai po beson se na qenkësh kompetent për të mbrojtur kriminelët”, thuhet ndër tjerash në komentin e gazetës.
Ndërkaq, Borrell, të mërkurën pas aksionit kishte shkruar se “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.
Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com