Gazeta serbe “zbulon” katër kërkesat e Beogradit për vazhdimin e dialogut

Gazeta serbe “zbulon” katër kërkesat e Beogradit për vazhdimin e dialogut

Gazeta serbe “Novosti” ka “zbuluar” katër kërkesa që Beogradi i ka paraqitur Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut, transmeton Insajderi.com.

Sipas këtij mediumi, “këto nuk janë kushte të reja apo shantazhe, por ato rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara që Prishtina po i pengon ose refuzon t’i përmbushë prej vitesh”.

“Novosti” raporton se këto janë qëndrime të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai ka nënvizuar pikat kryesore për vazhdimin e dialogut:

Kërkesa e parë është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, e dyta që Kosova të mos dërgojë forca të Policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pëlqimin e komunitetit serb, e treta që të formohen dy kompani serbe për shpërndarje të rrymës për serbët në veri dhe katër, trupi gjykues për rastin e Ivan Todosijeviqit të jetë i përbërë nga dy gjyqtarë serbë.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Kosovës./Insajderi.com