Rrjeti i Radiove Lokale në Kosovë (INC KOSOVA) organizoi të martën një konferencë të përbashkët me gazetarët nga Serbia dhe Kosova për të diskutuar rreth një teme mj" />

Gazetarët nga Serbia dhe Kosova takohen në Prishtinë: A ka kaluar koha e gazetarisë patriotike?

Gazetarët nga Serbia dhe Kosova takohen në Prishtinë: A ka kaluar koha e gazetarisë patriotike?

Rrjeti i Radiove Lokale në Kosovë (INC KOSOVA) organizoi të martën një konferencë të përbashkët me gazetarët nga Serbia dhe Kosova për të diskutuar rreth një teme mjaft të ndjeshme në raportimet mediale në të dyja vendet.

“Gjuha e urrejtjes në media dhe ri-pajtimi” ishte tema e konferencës që zgjati gjatë tërë ditës e në të cilët gazetarë shqiptarë e serb, të ndarë në tri panele me tri tema të ndryshme, folën për atë sesi të tejkalojnë politikën në Prishtinë dhe Beograd dhe të raportohet vetëm e vërteta.

Në panelin e parë, Stevan Ristic, Drejtor i javores “Vreme”, Gazmend Syla, drejtor i programacionit në Klan Kosova, Isak Vorguçiq nga Radio Televizioni KIM dhe Nexhmedin Saphiu në TV Mitrovica, folën rreth gjuhës së urrejtjes në mediat në Kosovë e Serbi, retorikën nacionaliste dhe raportimi i këtyre temave në media. Nën moderimin e Idro Seferit, gazetarit shumëvjeçar që raporton nga Beogradi, panelistët thanë se gjuha e urrejtjes e përdorur nga mediat në të dyja vendet, ka dhënë një rezultat aspak të mirë tek shoëritë e dy vendeve, duke mos i afruar por duke ua thelluar ndasitë.

Paneli i dytë, u fokusua në një temë tjetër duke shtruar pyetje të ndryshme sikurse: sa janë mediat e lira për të raportuar haptas për çështjet shqiptaro-serbe dhe sa ka ndikim politika ditore në Kosovë e Serbi tek raportimet e mediave në këto dy vende, kur vjen puna tek dialogu ose rezultatet e tij.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, gazetarja Senka Vlatoviç nga “Insajder” në Serbi, Nenad Radosavleviç nga TV Mir në Leposaviq dhe Nexhat Behluli nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë që jeton në Bujanoc, folën edhe për kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe sesi këto kërcënime kanë ndikuar që të ketë një raportim jo të mirëfillët për raportet Kosovë-Serbi.

I drejtuar nga redaktori përgjegjës në gazetën “Insajderi”, Vullnet Krasniqi, panelistët e temës së dytë thanë se kërcënimet më të mëdha që kanë marrë gazetarët kur raportojnë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, janë ato të etiketimeve “tradhëtar” e “shpiun” gjë që ende ngjallin reagime tek shoqëria kosovare dhe serbe.

E që kjo të mos ndodhë në të ardhmen, u konstatua se duhet të kalohet nga gazetaria patriotike e nacionaliste në një gazetari profesionale. Kjo ka qenë edhe tema e panelit të tretë dhe përmbyllës të konferencës, që u moderua nga gazetari serb,  Budimir Niçiq në një bashkëbisedim me Gordana Bjeletiq nga portali “Juzne Vesti” në Nish, Jelena Kosanoviq nga Agjencia e Lajmeve “Tanjug’ dhe Valon Syla, drejtues i portalit “Metro”.

Panelistët erdhën në përfundimi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet një trancizion nga e ashtuquajtura gazetari për interesa kombëtare në gazetari progesioniste, të paanshme e të bazuar në fakte./Insajderi.com