Aderimet e gazetarëve në parti politike kanë qenë të shpeshta në historinë e freskët të sistemit politik kosovar. Shumë nga ta kanë dështuar të kenë sukses në politikë e disa prej tyre janë rikthyer në profesionin e dikurshëm.
Marrëveshja politike e Rambujesë që ishte si një marrëveshje e përkohshme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë pas përfundimit të luftës ishte nënshkruar edhe nga dy gazetarë të cilët kishin përfunduar në një ekip të politikanëve: Veton Surroi e Blerim Shala.
Qysh atëherë linja mes politikës dhe gazetarisë ka qenë tejet e hollë në Kosovë. Emra të ndryshëm e të njohur në sferën e gazetarisë i janë bashkuar politikës shumica prej të cilëve kishin një qëllim: ndryshimin e gjërave nga brenda.
Duke mos besuar në ndryshimin e gjërave përmes profesionit të tyre që njihet si pushteti i katërt ata iu bashkuan pushtetit të politikës.
E fundit është Arbana Xharra e cila edhe 17 vite pas ka thënë të njejtën gjë: nuk beson se mund të ndryshoj me profesionin e saj dhe për këtë arsye ka hyrë në politikë për të “ndryshuar nga brenda”.
E teksa Surroi që njihet si ndër të parët dhe më të njohurit gazetar pas përfundimit të luftës formoj edhe partinë e tij “Ora” që dështoi të merrte vota edhe për të hyrë në parlament, kolegu i tij, Blerim Shala njëherë provoi në gazetari teksa në vitin 2009 iu bashkua Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga e cila u largua vitin e kaluar.
Përderisa Surroi e Shala që tash nuk janë aktiv në politikë e as në gazetari ka disa emra të tjerë që kanë lënë profesionin e tyre për t’iu futur në politikë por që më pas janë rikthyer në profesionin e vjetër. Një nga ta është Halil Matoshi.
Ai i ishte bashkangjitur partisë së Veton Surroit “Ora” dhe kishte premtuar ndryshime përmes politikës por këtë shans nuk e kishte fituar nga votat. Matoshi pas këtij dështimi në politikë i ishte rikthyer gazetarisë ku vazhdon të shkruaj në gazetën që dikur e drejtonte Surroi e që tash drejtohet nga motra e tij, Flaka Surroi.
Një tjetër emër i cili la gazetarinë për politikë por që iu rikthye gazetarisë është Buzhala. Ai së bashku me dy gazetarë të tjerë Ilir Mirena e Petrit Selimi,(që të tre nga Gazeta Express) kishin aderuar së bashku në PDK-në që drejtohej nga Hashim Thaçi.
Buzhala e kishte lënë politikën dhe partinë për t’iu rikthyer gazetarisë me arsyetimin se nuk mund të ndryshonte asgjë në partinë ku ishte. Njejtë kishte vepruar edhe kolegu i tij, Ilir Mirena. Të dytë tash janë aktiv në gazetari, Buzhala duke iu rikthyer Express-it ndërsa Mirena duke hapur një media të re, “Periskopi” e cila sot është kritikuese e ashpër e PDK-së.
I vetmi prej kësaj treshe që ka mbijetuar në politikë është ish-gazetari Petrit Selimi. Ai vazhdon të jetë pjesë e PDK-së duke drejtuar këto vite poste të rëndësishme sikurse zëvëndësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në politikë, pasi ka lënë gazetarinë, ka mbetur edhe një tjetër anëtare e PDK-së. Ish-gazetarja e kulturës në televizionin publik, Blerta Deliu-Kodra kishte lënë profesionin e saj të gazetarisë për të hyrë në politikë. Sot ajo është deputete e kësaj partie.
Një kolegë tjetër i Deliut, Burim Ramadani ka qenë gjithashtu gazetar. Ai ka punuar në Zëri dhe më pas i ishte bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Së fundmi ai ka lënë politikën por nuk i është rikthyer gazetarisë. Ka vazhduar në kuadër të shoqërisë civile.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë edhe një gazetar tjetër. Është zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj i cili ka qenë një nga gazetarët më të njohur në Kosovën e para dy dekadave për shkak të raportimit të tij në media ndërkombëtare sikurse BBC.
Një tjetër gazetar që la profesionin e tij për t’iu bashkuar politikës është edhe Bashmir Xhemaj. Sot ai është këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme.
Jashtë vendit dhe jashtë gazetarisë ka shkuar edhe Alma Lama. Ajo iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2010, u bë deputete e më pas e braktisi. Sot ajo është ambasadore e Kosovës në Itali.
E la gazetarinë dhe madje drejtimin e gazetës “Kosova Sot” dhe përfundoi në politikë përkatësisht në PDK e më pas si e pavarur por me një terminal të “dhuruar nga Qeveria” disa ditë pasi votoi pro zgjedhjes së Hashim Thaçit president: Margarita Kadriu.
Ajo ishte një nga shumë gazetarët kosovar që la profesionin e saj për t’i hyrë politikës me qëndrimin se do të punoj për popullin por përfundoi duke përfituar biznesi i familjes së saj. Ishte kritikuese e pushtetit dhe partisë në të cilën nuk mori ndonjë post dhe tash vazhdon të jetë deputete por pa përcaktim politik.
Listës së emrave të gazetarëve që lanë profesionin e tyre për politikë është edhe Avni Zogiani i cili pasi punoi si gazetarë në “Kohën Ditore” krijoi median e tij hulumtuese por që iu bashkua Vetëvendosjes për të kandiduar si deputet. Nuk ia arriti të zgjidhet deputet dhe kësisoj e la edhe politikën./Insajderi.com