Gazetarët serbë protestojnë në kufirin Kosovë-Serbi për “shkeljen e lirisë së medias”

Gazetarët serbë protestojnë në kufirin Kosovë-Serbi për “shkeljen e lirisë së medias”

Një grup i gazetarëve nga redaksitë serbe në Kosovë janë mbledhur në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinje për të protestuar për “shkeljen e lirisë së medias”, transmeton Insajderi.

Ata bllokuan rrugën duke vendosur pajisje televizive, pasi sipas tyre, një ekip i Radio Televizionit Serb nuk është lejuar të hyjë në Kosovë për tri ditë.

Në shenjë të mbështetjes për kolegët, por edhe në shenjë proteste kundër qëndrimit të institucioneve të Kosovës ndaj medias, ekipi i RTS-së duke filluar nga ora 10:00 u mblodh në kryqëzimin Jarinje bashkë me përfaqësuesit e mediave dhe anëtarët e degës së Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë.

Kryetari i kësaj shoqate, Budimir Niçiq, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të autoriteteve në Prishtinë për t’ua mundësuar lirinë e lëvizjes për gazetarët dhe ta bëjnë punën e tyre pa u penguar. Ai tha se punonjësit e mediave duan t’i mbështesin kolegët e tyre dhe të shprehin pakënaqësitë përmes kësaj proteste.

“Ky është ngacmim klasik, duke rrezikuar të drejtat e njeriut dhe liritë e medias. Gjithashtu, kjo është një shkelje e të gjitha vlerave dhe normave civilizuese dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Është e pakuptueshme që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që e kanë gojën plot me liri të mediave dhe përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës heshtin. Nëse kanë pushuar nga kremtimi i zgjedhjeve, mendoj se duhet të bëjnë diçka konkrete, sepse ky është ekipi i tretë në ditët e fundit që është ndaluar këtu”, tha Niçiq dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të autoriteteve në Prishtinë që të mundësojnë lirinë e lëvizjes për gazetarët./Insajderi.com