Gazetari kosovar dëshmon në Speciale: Jam intervistuar edhe në Kosovë

Gazetari kosovar dëshmon në Speciale: Jam intervistuar edhe në Kosovë

Gazetari nga Kosova, Halil Berisha, është paraqitur të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në ditë e dytë të dëshmisë së tij në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Derisa është pyetur nga avokati i Haradinajt se a është intervistuar edhe më parë nga Gjykata Speciale, Berisha ka pohuar duke thënë se “Kam qenë i intervistuar në Kosovë”.

Avokati më tutje e ka pyetur nëse intervistimi i tij është bërë më 25 gusht të këtij viti.

“Po me sa më kujtohet”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, i pyetur se në çfarë cilësie është intervistuar, ka thënë se “I kam pyetur dhe më kanë thënë që nuk jam në cilësinë e të dyshuarit”.

“Unë jam gazetar dhe nuk e kam pritur që ka me u ftua as për intervistim si dëshmitarë dhe as si i dyshuar sepse unë e kam kryer punën time në përpikëri dhe profesionale”.

“Se kom pritur që kam me qenë i ftuar. Kur më është bërë ftesa unë kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe avokati Arianit Koci”, ka thënë me tutje Berisha.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj gjatë seancave gjyqësore

Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike./Insajderi.com