
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen Kosovën në vendet pjesërisht të lira sa i përket lirisë së medias.
Javën e kaluar u publikuan dy raporte ndërkombëtare, “Freedom House”, njoftoi se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2015 në nivelet më të ulëta në 12 vite, si pasojë e rritjes së presionit nga kombinimi i elementeve politike, kriminale dhe terroriste.
FH në raportin “Liria e Shtypit në Botë 2016”, Kosovën e radhitet në vendin e 96-të në listën e vendeve “pjesërisht të lira”, një përmirësim shumë i vogël nga pozita e 98-të, në të cilën radhitej vitin e kaluar.
Kurse “Reporterë pa kufij”, vlerësuan se ambienti i punës së mediave në Kosova ka shënuar problem të dukshme. Kurse në ranglistën e indeksit të mediave e vendos Kosovën në vendin 82-të, për dallim nga viti i kaluar, kur ajo ishte në pozitën e 90.
Kjo renditje dëshmon se në Kosovës nuk janë ndalur kërcënimet ndaj gazetarëve, mbyllja e institucioneve për të dhënë përgjigje, dhe presionet e ndryshme nga zyrtarë institucionesh e grupe të caktuara të interesit. Gjithashtu edhe presionet nga brenda mediumeve, mungesa e kontratave, dhe mos dhënia e pagave kanë qenë sfidat me të cilat u përballën një numër i madhe i gazetarëve.
Ndër përpjekjet më të fundit të presionit ishte ajo e Ministrisë së Drejtësisë për penalizmin e shpifjes dhe fyerjes.
Kjo ministri duke u thirrur në praktikat e shtetit gjerman ka propozuar të futen në Kodin Penal dy nene që sipas saj do ta dënonim fyerjen që bëhet ndaj simboleve shtetërore dhe zyrtarëve të larte shtetërorë të tillë siç janë presidenti, kryeministri e të tjerë. Kushdo që publikisht do të shpif do të marrë dënimin me burg nga tre muaj deri në pesë vjet.
Këto ndryshime që priteshin të futeshin në Kodin e Ri penal të Kosovës, para pesë ishin kundërshtuar fuqishëm nga mbrojtësit e fjalës së lirë. Edhe kësaj here pas presioneve nga mediat dhe OJQ-të Ministria e Drejtësisë të shtuan hoqi dorë zyrtarisht nga propozimet.
Kërcënimet ndaj gazetarëve vazhduan po ashtu, për dallim nga viti i kaluar kur kryeredaktori i gazetës Insajderi Vehbi Kajtazi u kërcënua përmes telefonit nga kryeministri Isa Mustafa, këtë vit kërcënuesit shkuan edhe me tej.
Në fillim të këtij muaji kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, është kërcënuar përmes një mesazhi që i është lënë në hymjen e objektit të banimit.
Kërcënuesit kanë gjetur adresën e banimit të Xharrës në Prishtinë, dhe në muret jashtë banesës dhe në parkingun e saj kanë vizatuar me ngjyrë të kuqe disa kryqe gjigantë.
Kështu 26 vjetorin e ditës së lirisë së shtypit Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Mediave të Shkruara dhe disa organizatave tjera ka thirrur protestë për të kundërshtuar fillimisht nismën e ministrisë së drejtësisë që fyerjen dhe shpifjen t`i penalizoj.
Protesta me moton “Fol mos u tut”, pritet të mbledhë sot në mesditë ithtarët e mediave të lira dhe lirisë së shprehjes për të kundërshtuar tendencat për të kufiuar lirinë e mediave dhe shprehjes në përgjithësi.
Aktivitetet tjera të kësaj ditë do të jenë edhe organizimi i revistës Kosova 2.0 dhe organizatës FOL për të diskutuar për sinjalizimin dhe diskutimi për lirinë e mediave nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Përpjekjet për të pasur media të lira dhe liri të shprehjes të pacenueshme kanë filluar qysh para 26 vjetëve.
Në vitin 1991 së paku 17 punonjës të mediave gjendeshin në burgjet afrikane. Për këtë arsye, një grup reporterësh e redaktorësh ishte mbledhur prej 29 prillit deri më 3 maj në Ëindhoek, Namibi, në një trajnim të organizuar nga UNESCO.
Që atëherë data kur u nxor deklarata e Ëindhoek-ut shënohet si dita botërore e lirisë së shtypit. Me gazetari të lirë ajo nënkuptonte gazetari të pavarur nga kontrolli qeveritar, politik ose ekonomik ose nga kontrolli i materialeve dhe infrastrukturës së domosdoshme për prodhimin dhe shpërndarjen e gazetave, magazinave dhe revistave periodike.
Ndërsa në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. /Insajderi.com