Gazmend Abrashi: Se kam sulmuar asnjëherë Vatovcin, në zyrën e shërbeva me lëng e kafe

Gazmend Abrashi: Se kam sulmuar asnjëherë Vatovcin, në zyrën e shërbeva me lëng e kafe

Këshilltari i kryeministrit, Gazmend Abrashi ka reaguar ndaj deklaratës së Agim Vatovcit, kryetarit të Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili tha se Abrashi së bashku me këshilltarin tjetër të Haradinajt, Jahir Morina e kishin nxjerr nga një mbledhje duke e sharë me nënë dhe ngacmuar seksualisht.

Abrashi për Insajderin ka thënë se e njeh për një kohë të gjatë Agim Vatovcin dhe se ka marrëdhënie miqësore me të, madje thotë se vazhdon ti ketë po të njëjtat raporte.

“Në ngjarjen e përshkruar nga ai në teatër apo kudo tjetër, unë nuk kam marrë pjesë dhe as që kam dijeni për të, siç edhe përshkruhet edhe nga vet ai. E kam dëgjuar disa herë deklarimin e tij në emisionin “Gjesi” në T7, nga i cili shihet qartë që unë personalisht nuk jam personi i cili e ka fyer ashtu siç shkruhet në portal”, ka thënë ai për Insajderi.

Këshilltari i kryeministrit ka treguar saktë kur është takuar me Vatovcin dhe se si Haradinaj nuk ka mundur të takohet personalisht më të në atë ditë.

“Z. Vatovci, përafërsisht para 1 viti, ka qenë në zyrën e Kryeministrit, në të cilën personalisht e kam pritë dhe e kemi shërbyer me lëng dhe kafe. Kërkesa për takim me Kryeministrin nuk ka qenë e paralajmëruar paraprakisht dhe për shkak të agjendës së ngjeshur, deri te ky takim nuk ka ardhë”, është shprehur ai.

Abrashi mes tjerash pohuar se është i saktë konstatimi i Agim Vatovcit që ka pasur përkrahjen e tij gjatë kampanjës, por është shprehur se të njëjtën përkrahje do ta ketë edhe ai nga Abrashi.
“Nuk është në edukatën time personale dhe etiken e mirësjelljes një konfrontim verbal i asaj natyre, i cili edhe nga akteri në fjalë nuk më adresohet mua”, tha ai.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili i ka bërë ftesë publike Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezit dhe ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të PSRK, Afrim Shefkiu, që të reagojnë lidhur me deklaratat e bëra nga Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Agim Vatovci, në drejtim të këshilltarëve të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Miftaraj ka kërkuar që ky rast të sqarohet nga organet kompetente dhe inicimi dhe mbrojtja duhet të fillojnë nga Prokuroria./Insajderi.com