Gecaj për herë të parë merret me PDK-në dhe jo Vetëvendosjen

Gecaj për herë të parë merret me PDK-në dhe jo Vetëvendosjen

Në kohën kur po vazhdon të mbahet seanca për rrëzimin e Qeverisë, këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se partia e tij ka qenë e vetëdijshme se partneri i koalicionit, PDK, do t’i “prejnë pas shpine”.

Ai iu ka referuar një bisede që sipas tij ka zhvilluar me një zyrtar të PDK-së, që sipas Gecajt i ka treguar se PDK ka bërë gjithçka për të dobësuar LDK-në që nga koha e para-luftës.

“Ja çka më kishte thënë një përfaqësues i PDK-së: ‘Kemi bërë bash gjithçka që nga koha e para-luftës të dobësojmë LDK-në, dhe mua po më duket se nuk ka sens që tani me dorën tonë ta ringrisim prapë LDK-në, duke i japë shansin të mirë-qeverisë. Po te vazhdojmë këtë koalicion do të na shkonte i gjithë ai mund huq”, ka shkruar Gecaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Deklarimet e tilla, si dhe pika 14 e marrëveshjes së koalicionit qeverisës (mos-përkrahja e mocioneve të votëbesimit), provojnë se ne paraprakisht kemi qenë të vetëdijshëm se këta mund të na prejnë pas shpine, por se interesi shtetëror dhe partiak e kishte imponuar një koalicionin të tillë”, ka shtuar ai.

Gecaj, që është edhe zëvendësministër i Pushtetit Lokal, në fakt gjatë gjithë qeverisjes Mustafa ka qenë i fokusuar në kritikat drejtuar partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai këtë parti në vazhdimësi e quan si lëvizje anarkiste.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit në seancën që po mbahet për mocionin kundër Qeverisë./Insajderi.com