
Shefi i kabinetit të Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Bajram Gecaj, njëherësh edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, i cili tha se lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka ndalesë për të qenë pjesë e listës zgjedhore, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj e quan Kryeziun “hipokrit të pacipë”, pas asaj çka ky i fundit deklaroi, duke shtuar se ligji për LVV-në vlen vetëm kur t’u përshtatet interesave të këtij subjekti politik.
“Hipokritë të pacipë … e shohin veten mbi ligjin … ligji vlen vetëm kur t’u përshtatet interesave të LVV!”, ka shkruar ai.
“Kurti e Haxhiu nuk ishin objekt shqyrtimi nga Kushtetuesja, ata nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë listës zgjedhor. Sipas kësaj logjike, vendimi i gjykatës, pos që vendosi mbi Etem Arifin, do të duhej të theksonte se ky vendim vlen edhe për Albin Kurti e Albulena Haxhiun … tmerr!”, ka shkruar tutje ai. /Insajderi.com