Gënjeshtra e Riza Smakës dhënë medias për Aleksandër Lumezin

Riza Smaka, për tri ditë e ndërroi bindjen e tij personale se provimi i Jurisprudencës së Aleksandër Lumezit "është i falsifikuar". Nga bindja e plotë që e kishte për "falsifikimin e provimit të Lumezit" më 31 tetor, tri ditë më vonë Smaka u shpreh se ka dyshime për rastin. Tha se fakti që Lumezi ishte zgjedhur zëvendës prokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës nga Bernard Kushner më 1999 e ka vënë atë në dyshim.

Gënjeshtra e Riza Smakës dhënë medias për Aleksandër Lumezin

Dy javë më parë, Riza Smaka shprehej i bindur se provimi i jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është i falsifikuar. “[Aleksandër Lumezi v.j] Nuk e ka pasur provimin e judikaturës”, thoshte me bindje të plotë Smaka, në një intervistë për televizionin KTV.

Juristi, i cili ka shërbyer si kryesues i Komisionit Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës – i themeluar në shtator të vitit 1999 nga ish-kryeadministratori i Kosovës Bernard Kouchner – thoshte se “Lumezi e kishte pranuar vet se nuk e ka provimin e judikaturës”.

“Nuk e ka pas provimin e jurikadusë (jurisprudencës v.j). Nuk e ka pas të dhënë, në atë etapë nuk e ka pas, as nuk e ka thënë që ka. Ka qenë shumë korrekt”, tha Smaka, në një intervistë dhënë KTV-së më 31 tetor.

Madje, ish-kryesuesi i Komisionit Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës shprehej me bindje të theksuar rreth “gënjeshtrës së Lumezit” për posedimin e certifikatës së Jurisprudencës.

“Ka konkurruar dhe ka pas thënë se ‘e mbajë mend mirë, se do ta kisha dhënë këtë provim, por qe 10 vite nuk është organizuar mbajtja e provimit’. Bile, unë i pata propozuar Dr.Kushenerit ta pranojë”, pati deklaruar Smaka.

Megjithatë, pretendimet e Smakës për “gënjeshtrën e Lumezit” u hodhën poshtë të martën nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, të cilët përmes një raporti vërtetuan se certifikata e Jurisprudencës së Aleksandër Lumezit nuk është e falsifikuar. Për këtë, publikuan 17 fakte.

Në raportin e prokurorit të Prokurorisë së Shtetit, Kujtim Munishi, përvec se vërtetohet provimi i kaluar suksesshëm i Jurisprundencës nga Aleksandër Lumezi, del në pah vetëm gënjeshtra e Riza Smakës.

Tri ditë pas deklaratës së dhënë në KTV, hetuesit policor e intervistuan në cilësinë e dëshimtarit Riza Smakën. Në këtë intervistë për policinë, Smaka ndërron deklaratë. Nga bindja e plotë që e kishte për “falsifikimin e provimit të Lumezit”, Smaka u shpreh se ka dyshime për rastin.

“Mua sa më kujtohet Aleksandër Lumezi në atë etapë nuk e ka pasur Certifikatën e Judikaturës. Megjtihatë, unë shprehi dyshime përkatazi kësaj rrethane ngase ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk i kam shënimet zyrtare, as që i kam pas marrë me vete”, tha Smaka për hetuesit policor.

Smaka i tha hetuesve policor se fakti që e bën atë të mendojë më shumë se provimi i jurisprudencës së Aleksandër Lumezit nuk është i falsifikuar, është se Lumezi ishte rekrutuar si zëvëndësprokuror nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner.

“Rrethana se Aleksandër Lumezi ka qenë emëruar zëvendës prokuror komunal në Prishtinë nga dr. Kushner, më bën edhe më tepër të luhatshëm përkitazi me faktin se zotëri Lumezi në atë etapë e ka pas apo nuk e ka pas certifikatën e Judikaturës”, deklaroi Smaka më 2 tetor.

Dyshimet e dala në publik mbi provimin e jurisprudencës së kryeprokurorit të shtetit, Aleksandar Lumezi, kanë marrë fund të martën, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka gjetur se provimi i Lumezit nuk ka qenë i falsifikuar. /Insajderi.com