Gent Cakaj: Nuk jemi zotuar se negociatat do të hapen

Situatën në Shqipëri, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj e shikon të ndryshme nga ajo në Maqedoninë e Veriut.

Ndaj sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për RTV Ora, Cakaj tha se Shqipëria nuk është zotuar, si Maqedonia e Veriut, se negociatat do të hapen.

Sipas ministrit, qeveria shqiptare i ka përmbushur të gjitha detyrat dhe kushtet për hapjen e negociatave.

Çështja është se Maqedonia e Veriut i përket rrethanave të tjera politike për shkak se sfidat politike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të tjera. Ata kanë bërë një referendum popullor dhe çështja kryesore ka qenë që nëse shtetasit e Maqedonisë do të duan ta ndryshojnë emrin shtetëror në këmbim të agjendës evropiane dhe atlantike të vendit”.

“Ndaj përgjegjësia atje është krejtësisht tjetër. Po ashtu zotimi i qeverisë së atjeshme ka qenë se negociatat do të hapen. Në Shqipëri përveçse nuk ka pasur një problem të tillë politik, në Shqipëri nuk ka pasur zotim të prerë se negociatat do të hapen. Ne kemi qenë tërësisht të kujdesshëm që ne të themi që ne përpiqemi për hapjen e negociatave, por nuk mund ta garantojmë suksesin e tyre për shkak se një copë e madhe e punës nuk varet nga marrëdhënia e Shqipërisë me vendet anëtare, por nga marrëdhënia e vendeve anëtare me vetë BE”.