Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i kanë nisur letër presidentit ekzekutiv të Europa Nostras lidhur me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.
Në letër thuhet se vendimi për Manastirin e Deçanit është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht.
Me këtë rast, Gërvalla dhe Çeku i kanë bërë ftesë organizatës për ta vizituar Kosovën dhe për ta parë nga afër monumentin.
“Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese.
Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët”, thuhet në letër.
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë tutje se bazuar në vlerësimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë të rendit dhe sigurisë, kishat ortodokse në Kosovë nuk janë të rrezikuara.
“Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tonë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e në veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë.
Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit”, thuhet tutje.
Gërvalla dhe Çeku kanë bërë thirrje që vizita e presidentit të Europa Nostra të realizohet sa më shpejtë.
“Dëmin që ia keni shkaktuar reputacionit të Kosovës me vendimin tuaj të padrejtë dhe të pabazuar, duhet ta kompensoni pa vonesë. Jemi të prirur të besojmë që rezultati i vizitës dhe vlerësimit tuaj të gjendjes do të rezultojë me rishikimin e listës tuaj duke e larguar Manastirin e Deçanit”./Insajderi.com