Gërvalla: Diaspora shqiptare urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Zvicrrës

Gërvalla: Diaspora shqiptare urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Zvicrrës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve, njofton Insajderi.

Gjatë takimit me ambasadorin zviceran, ministrja Gërvalla ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe se do të vazhdohet edhe më tej me kultivimin e tyre në shumë sfera.

Në këtë kontekst, Ministrja e Jashtme ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare, e cila është një urë lidhëse shumë e rëndësishme ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij zviceran.

Gërvalla ka falënderuar ambasadorin Kolly për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës, që prej periudhës së paraluftës e në vazhdimësi.

Ajo ka thënë se shteti zviceran është një vend mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për situatën me pandeminë dhe të dyja palët kanë theksuar nevojën e zbatimit të masave mbrojtëse.

Ministrja Gërvalla ka thënë se kjo situatë kërkon solidaritet, ndaj ka shfaqur shpresën edhe në ndihmën e shteteve mike në mënyrë që Kosova, në një ta ardhme të afërt, të mund të sigurojë sasinë e vaksinave për të gjithë qytetarët./Insajderi.com