Gërvalla e lavdëron Arben Vitinë për menaxhimin e pandemisë

Gërvalla e lavdëron Arben Vitinë për menaxhimin e pandemisë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka lavdëruar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për “menaxhimin e pandemisë”.

“Heq kapelën para kolegut tim, Arben Vitia”, e fillon postimin në Facebook kryediplomatja.

“Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë”, vazhdon Gërvalla.

Të enjten Ministria e Shëndetësisë raportoi për 18 të vdekur e 2 mijë e 295 infeksione me COVID-19.

Por, Gërvalla thotë që e gjithë bota po përballet me variantin delta.

“Varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide. Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër”.

Arben Vitia pos ministër i dikasterit të shëndetësisë është edhe kandidat për kryetar të Prishtinës.

Për këtë ai po kritikohet nga opozita për “keqmenaxhim të pandemisë”, pas sipas tyre është i përkushtuar në garën për kryeqytetin.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të enjten ka thënë se qasja e Qeverisë ndaj pandemisë është sikur virusi të mos ekzistonte fare.

Në anën tjetër nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po kërkojnë nga qytetarët që të vaksinohen kundër COIVD-19.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 16.862 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 747.898 doza të vaksinës. Deri më sot 256.235 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /Insajderi.com