Gërvalla gabon sërish, ngatërron profilin e kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut

Gërvalla gabon sërish, ngatërron profilin e kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vazhduar me ngatërresat në llogarinë e saj në Twitter, të cilat pothuajse janë bërë të përditshme.

Vetëm një ditë pasi ngatërroi flamurin e Andorrës me atë të Moldovës, Gërvalla ka ngatërruar profilin e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me një person tjetër.

Ky gabim u bë në postimin ku ajo ka shprehur ngushëllimet e saj për familjarët e viktimave nga zjarri që shpërtheu mbrëmë në spitalin COVID të Tetovës.

Përveç familjarëve, ajo ngushëllime shprehu edhe për homologun e saj në vendin fqinj, duke thënë se Kosova i qëndron për krah Maqedonisë në këtë situatë.

Ministria të cilën e udhëheq Gërvalla, dje ka bërë një tjetër gabim, ku ka ngatërruar flamurin e Andorrës me atë të Moldavisë në postimin me anë të të cilit MPJ-ja ia uronte ditën e pavarësisë Andorrës.

Ndërsa, sot Gërvalla në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, ka shkruar se mendimet e popullit të Kosovës janë me popullin e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht me familjet e viktimave. /Insajderi.com