Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar që ‘Lista Guxo’ e Vjosa Osmanit, do të regjistrohet si parti në vete dhe nuk do të shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Insajderi.
Kështu tha ajo në emisionin ‘Kallxo Pernime’, ku njoftoi se nga kjo listë do të rezultojë një parti e re politike e qendrës së djathtë.
“Nga kjo listë do të rezulton një subjekt i ri politik i qendrës së djathtë. Do ta regjistrojmë, nuk është vetëm regjistrimi, ne duhet të organizojmë njëherë degët tona dhe pastaj vjen momenti kur bëjmë një mbledhje solemne në Prishtinë, bëjmë zgjedhje”, tha Gërvalla.
Sipas saj, ky proces nuk do të bëhet së shpejti pasi që merr kohë.
“Unë nuk pres që kjo të jetë shumë shpejt, sepse kërkon goxha punë dhe kohë, por nuk e pres në një afat shumë të afërt”, theksoi ajo, derisa foli edhe për mundësinë që ajo të udhëheqë këtë parti.
“Unë mendoj që së bashku me kolegët e tjerë ne do ta udhëheqim këtë listë, se si, qysh, tek, ne kemi vendosur që t’i nënshtrohemi votës së fshehtë. Prandaj asnjëri nga ne që mbetemi pas largimit të Osmanit nuk e përjashtojmë këtë opsion”, shtoi ajo. /Insajderi.com