Ish-anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani kandidate për deputetë nga Lista e Vjosa Osmanit me Lëvizjen Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka thënë se Isa Mustafa e ka instaluar qëllimisht Agim Veliun si ministër në Qeverinë Kurti, njofton Insajderi.
Gërvalla tha se qëllimi i Isa Mustafës ka qenë që “pullën e kuqe” të eksplodimit të Qeverisë ta bëjë Agim Veliu.
“Unë mendoj që Agim Veliu ka qenë pikërisht personazhi që Isa Mustafa e ka instaluar në atë qeveri me qëllim që në momentin që e prek pullën dhe që nuk i konvenon kjo qeveri, Agim Veliu do të eksplodonte atë qeveri dhe ashtu ndodhi”, tha Gërvalla në “Debat Përnime”.
“Kjo u pa qysh në fillim, ai ka qenë kundërshtar i këtij koalicioni që nga fillimi” , tha tutje ajo.
Gërvalla thotë se LDK është bërë një degë e PDK-së që nga koha kur partinë e drejtonte Fatmir Sejdiu.
Sipas Gërvallës, LDK tash është duke i ngjarë PDK-së, AAK-së, e Nismës.
“LDK sa më shumë vite që kaluan, u bë e ngjashme me partitë e tjera, që nga PDK, AAK e Nisma”, tha Gërvalla.
“Nuk mund të përcaktohet momenti fiks se kur LDK filloi t’i ngjajë këtyre partive, pasi që ka ardhur gradualisht, mirëpo që nga koha kur presidenti Sejdiu drejtonte LDK-në u panë këto tendenca. U pa që partneriteti me PDK-në u vendos mbi interesin e votuesit të LDK-së. LDK-ja u kthye në një degë të PDK-së, dhe gjithçka ndodhte pse vendoste Hashim Thaçi dhe jo degët e LDK-së”, u shpreh Gërvalla.
Sipas saj, LDK ka mbytur zërin e protestës brenda partisë.
“Strukturat e mirëfillta janë pastruar me kalimin e kohës. Nëndegët janë mbushur çdo vit nga njerëz që janë të varur qoftë nga interesi klanor apo material dhe kështu pak e nga pak e kanë mbytur atë zërin e protestës dhe sot struktura e LDK-së është e paaftë të bëjë reforma apo të kërkoj reforma”, u shpreh ajo./Insajderi.com