Gërvalla: Pas zgjedhjeve në Francë presim që qasja e saj për liberalizimin e vizave për kosovarët të ndryshojë

Gërvalla: Pas zgjedhjeve në Francë presim që qasja e saj për liberalizimin e vizave për kosovarët të ndryshojë

Qasja skeptike e Francës për liberalizimin e vizave për kosovarët mund të ndryshojë pas zgjedhjeve në këtë shtet.

Kështu deklaroi të martën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme.

“Nuk përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të kemi ndryshim të qasjes së Francës, por një temë e tillë mund të shtrohet më me intensitet më së voni pas zgjedhjeve në Francë”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja ndër të tjera foli edhe për iniciativën rajonale ‘Open Ballkan’, për të cilën tha se Kosova nuk ka marrë asnjëherë ftesë zyrtare.

Sipas saj, përmes kësaj iniciative është tentuar të krijohet një paralele jo vetëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe procesit të Berlinit.

“Jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit në BE-së e as për iniciativat që më shumë janë fjalë goje”, u shpreh ajo.

“Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë një përshkrim për çfarë është Open Ballkan e nuk ka marrë as një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e saj përveç asaj që është deklaruar”./Insajderi.com