Gërvalla pret në takim homologun gjerman, diskutojnë për njohjen e patentë-shoferëve

Gërvalla pret në takim homologun gjerman, diskutojnë për njohjen e patentë-shoferëve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur të enjten në takim homologun e saj gjerman, Heiko Maas, me të cilin ndër të tjera ka diskutuar për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve, e cila është afër përmbylljes, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit për medie të MPJD-së, gjatë takimit, dy ministrat janë fokusuar në diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale në mes të dy vendeve, me ç’rast kanë vlerësuar se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën.

“Kosovës u tha se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së”.

Tutje, në njoftimin e MPJD-së thuhet se u nënvizua edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani, ku mbi 400 mijë shqiptar u tha të jenë të integruar mirë në shoqërinë gjermane.

“Pala gjermane shprehu gatishmërinë që të ofroj mbështetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës sa i përket reformave të brendshme, por edhe për shërbimin e saj të jashtëm”./Insajderi.com