Gërvalla shpreh mirënjohje ndaj autoriteteve kroate

Gërvalla shpreh mirënjohje ndaj autoriteteve kroate

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se ndihet thellësisht mirënjohëse ndaj homologut të saj kroat, Gordan Grlic Radman, për ndihmën e qeverisë kroate për viktimat e tragjedisë të dielës, ku humbën jetën 10 pasagjerë kosovarë, 15 persona janë lënduar rëndë, por edhe 44 të tjerë janë dërguar në spitale për trajtim mjekësor, të cilët gjendeshin në autobusin e aksidentuar, që po udhëtonte nga Gjermania në Kosovë.

Këtë falënderim ajo e bëri me anë të një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter.

“I jam thellësisht mirënjohëse mikut dhe kolegut tim Grlic Radman për përpjekjet e tij dhe për të gjithë ndihmën e rëndësishme nga qeveria dhe autoritetet e Kroacisë për viktimat e kësaj tragjedie”, ka shkruar ajo.

“Kosova dhe Kroacia po punojnë ngusht për të ndihmuar viktimat”, shtoi Gërvalla.

Një autobus i cili po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë, është vetaksidentuar në mëngjesin e së dielës në Brod të Kroacisë, ku vdiqën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar. /Insajderi.com