Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka deklaruar se ka bërë kërkesë për mbylljen e hapësirës ajrore për avio kompanitë ruse.
Sipas ministres, nga KFOR dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë dhënë premtime se kjo kërkesë do të shqyrtohet.
“Kemi kërkuar mbylljen e hapësirës ajrore. Unë jam takuar me komandatin e KFOR-it, gjithashtu edhe kolegu im Bislimi është takuar me të dhe na është thënë që KFOR së bashku me NATO-n është duke e shqyrtuar kërkesën e Kosovës”.
“Për neve ka qenë e rëndësishme që të shprehim gatishmërinë tonë. Edhe unë i kam parë ato hartat që po i shohin edhe qytetarët tanë, e di që askush në Kosovë nuk don ta sheh Kosovën pjesë të zbrazët ku ndodhet vetëm Serbia dhe BeH sa i përket hapësirës ajrore. Na është premtuar nga KFOR-i dhe nga përfaqësues të SHBA-së se do ta marrin seriozisht këtë kërkesë dhe priten rezultate gjatë ditëve të ardhshme”, tha Gërvalla para anëtarëve të komisionit./Insajderi.com