Gërvalla u reagon lajmeve ku thuhej se ajo akuzon anëtarë të UÇK-së për vrasje të romëve, serbëve e shqiptarëve: E ka thënë autori i tekstit, jo unë

Gërvalla u reagon lajmeve ku thuhej se ajo akuzon anëtarë të UÇK-së për vrasje të romëve, serbëve e shqiptarëve: E ka thënë autori i tekstit, jo unë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pasi në media u publikua një intervistë e saj dhënë për mediumin zviceran ‘NZZ’, ku ndër të tjera thuhet se ajo ka akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për vrasje të pasluftës ndaj romëve, serbëve dhe shqiptarëve rivalë.

Gërvalla ka thënë se citati për UÇK-në i marrë nga gazeta e lartëpërmendur, “ka vetëm një autor dhe ai quhet Andreas Reich, gazetar i kësaj gazete”, përcjell Insajderi.

Pra, sipas saj, citati shpreh opinionin e gazetarit dhe jo të sajin.

“Një keqinformim i tillë mund të ishte evituar po të ishte lexuar dhe kuptuar mirë teksti dhe gjermanishtja, para se të citohet dhe botohet në forma të tilla”, thuhet në reagimin e ministres të publikuar në Facebook.

Ajo ka shtuar se kjo është “një përsëritje e lodhtë e fushatës së përsëritur kundër nesh”.

“Këmbëngulja e disave për të sulmuar dinjitetin dhe përkushtimin tonë për vendin nuk mund të funksionojë duke keqpërdorur UÇK-në. Në Kosovë gjithkush e din se kush e ka mbrojtur në të kaluarën dhe e mbron edhe sot UÇK-në, luftën çlirimtare dhe sakrificën e shqiptarëve jo vetëm gjatë dekadave të fundit”.

Gërvalla tutje ka kërkuar nga mediat që e kanë publikuar një lajm të tillë korrigjim dhe kërkim falje./Insajderi.com