Deputeti i pavarur por kryetar i partisë religjioze “Fjala” në Kuvendin e Kosovës, Gëzim Kelmendi, ka shfrytëzuar ngritjen e aktakuzës ndaj imamit Shefqet Krasniqi, për t’i thurur atij lavde, madje duke e quajtur “dijetar të Ballkanit”.
“Prof.dr.Shefqet Krasniqi, Dijetar i Ballkanit,Luftëtar për lirinë e vatanit…”, nisë statusi i Kelmendit.
“Aktakuza e ngritur ndaj teje, padyshim që ka prekur zemrat dhe ndjenjat e shumë besimtarëve musliman në gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë. Të gjithë ne që të njohim, jemi thellësisht të bindur në pafajësinë tënde”, vazhdon Kelmendi në postimin e tij.
Kelmendi ka thënë se imami ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për shmangie tatimi dhe nxitje të urrejtjes, është person që i është përgjigjur “vatanit në kohët më të vështira” duke i ndërprerë studimet nga “Medina dhe ju bashkove luftëtarëve të lirisë në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
“Ti je ai që me diturinë tënde të gjërë, nuk ngurove asnjë moment ta mësosh dhe këshillosh popullin tonë në përgjithësi dhe rininë tonë në veçanti.Ti je ai që përfaqëson shqiptarët me dinjitet në ligën botërore të dijetarëve islam.Ti je ai që edhe fëmija dhe plaku me pasion të dëgjon.Studentët me dituri i furnizon”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka thurur edhe disa lavde të tjera për Krasniqin. /Insajderi.com