Gëzuar festa më idiote për kosovarët – Dita e Evropës!

A nuk është idiotizëm festimi i kësaj dite në Kosovë? A nuk është tallje me kosovarët ky panair?BE-ja e di që po tallet me ne. Edhe ne e dimë këtë.

Gëzuar festa më idiote për kosovarët – Dita e Evropës!

Rrugët e shehrit të Prishtinës janë thuajse të boshatisura edhe në mesditë. Kosovarët pushojnë për nderë të Ditës së Evropës, të mbyllur nëpër shtëpi, kafene, pa pasur mundësi që të bëjnë ndonjë vikend të gjatë diku në ndonjërin prej qyteteve apo kryeqyteteve të Bashkimit Evropian.

Kjo ditë, pra 9 Maji, neve kosovarëve na gjen të ngujuar brenda kufijve tanë mendor e fizik. Krejtësisht të izoluar. Shumë të nënçmuar.

Shtetet e Bashkimit Evropian ndërkohë, kanë organizuar një panair në Sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë për prezantuar informata mbi studimet në Evropë, mundësitë e pjesëmarrjes në konferenca e trajnime të ndryshme, mundësitë për mësimin e gjuhëve të ndryshme evropiane si dhe informacione të tjera të vlefshme.

Për muzikën është përkujdesur DJ Yll Megi.

A nuk është idiotizëm festimi i kësaj dite në Kosovë? A nuk është tallje me kosovarët ky panair?

BE-ja e di që po tallet me ne. Edhe ne e dimë këtë.

Në gjithë këtë maskarallëk festimesh e panairesh, sigurisht fajin kryesor e kemi ne. Pra, përfaqësuesit tanë politikë të cilët qeverisin me logjiken e pronësisë mbi gjithçka, të mentalitetit të fitimtarit se plaçka e luftës u takon atyre.

Mentaliteti zotërimit të gjithçkaje, përfshirë i jetëve tona, pos që na ka lënë të izoluar, po na shkatërron si shtet e si shoqëri. E ardhmja jonë është në rrezik për shkak të klasës politike dhe mentalitetit zhvatës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbi të cilin peshojnë akuza të rënda dhe zhvillohen hetime nga Haga, kohë ka vënë në dyshim ekzistencën e shtetit, kufijtë e saj, sovranitetin e shtetit.

Nuk do shumë mend për ta ditur se Thaçi është politikan i shantazhueshëm me hetime që pritet të rezultojnë me aktakuzë dhe gjykim.

Nuk do shumë mend për ta ditur po ashtu se Thaçi është njeriu që i ka shkaktuar më së shumti dëm Kosovës. Fillimisht, me instalimin e nocionit patriot-tradhtar, pastaj me modelin qeverisës të cubave, e pastaj edhe me kapjen e thuajse të gjitha institucioneve të pavarura në vend, përfshirë Prokurorinë dhe Gjykatat.

Këtë e dëshmon më së miri mbyllja e një hetimi të Prokurorisë kundër tij për dyshimet se kishte arrestuar, burgosur, e dhunuar fizikisht dy aktivistë të LDK-së, Cen Deskun, e Jakup Kastratin.

Këtë e dëshmon edhe vetë Prokuroria duke i qëndruar gatitur Thaçit, për secilën iniciativë të tij hetimore e të ndërtimit të strategjive të luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Thaçi, pra ka shkatërruar iluzionin se një ditë do të kemi drejtësi efektive dhe të paanshme.

Pamundësia e Thaçit nga ana tjetër për të kapur edhe gjyqtarët dhe prokurorët e Speciales, e ka shndërruar atë në një politikan agresiv të gatshëm për t’ia vënë gërshërët hartës së Kosovës dhe për ta ndarë territorin me Serbinë, vetëm me kushtin që mos të shkojë në Hagë.

Kjo duhet të ndalet, duke u eliminuar politikisht nga mundësia e pazareve tjera në këmbim të lirisë së tij personale.

Politikanë tjerë me pushtet vendimmarrës shpallin persona non grata, diplomatë perëndimor të cilët flasin hapur kundër zhvatjes së miliona eurove në emër të pagesave për veteranë të rrejshëm e mashtrues.

Ky model qeverisës (sundues) nuk na bën evropianë. Përkundrazi.

Nuk është evropianizim mosgjykimi dhe mosndëshkimi i kriminelëve, mashtruesve, zhvatësve. Nuk është evropianizim mbushja e kuvendit me deputetë vrasës, mashtrues të qytetarëve me viza pune, me trafikantë.

Nuk është evropianizim mbajtja në pushtet e ministrave me aktakuza, punësimi nëpunësve të padijshëm, e nepotizmit. Nuk është evropianizim mbushja e institucioneve me militantë partiakë. Nuk është evropianizim lirimi i vrasësve nga burgjet me dekrete presidenciale. Nuk është evropianizim zgjedhja e njerëzve si “Ftyra” në krye të institucioneve.

Pra, kurrfarë evropianizimi nuk përfaqësojmë, përpos të qenin gjeografikisht pjesë e kontinentit.

Evropa, në anën tjetër pos kushteve që na ka vënë, që lidhen kryesisht me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, po na trajton si popull pa vlerë krejtësisht për qëllime politike.

Devijimi i negociatave të Brukselit, nga teknike – politike për të ecur drejtë njohjes së Kosovës, me bekimin e përfaqësueses së lartë për politikë të Jashtme, zonjës Mogerini, ka rrëshqitur në një pazar të ndarjes së Kosovës.

BE-ja e di se më mirë nuk qeveriset as Shqipëria të cilës i janë hequr vizat shumë vjet më parë. BE-ja e di që Shqipëria është hambari kryesor i drogës. BE-ja e di që deputetë e ministra të Edi Ramës, qëndrojnë në krye të mafias shqiptare.

BE-ja, po ashtu e di që Maqedonia deri vonë ka qenë shkelësja më e madhe e të drejtave të njeriut – të drejtave të shqiptarëve. Qeverisja e Gruevskit ka qenë e korruptuar dhe e lidhur me Rusinë.

BE-ja e di po ashtu që vëllai i Vuçiqit, qëndron në krye të mafias serbe. E di po ashtu se Serbia është shtypëse e pakicës shqiptare në Serbi. E di se Vuçiqi është luftuese dhe shkatërruesi i mediave në Serbi.

E di se vrasja e Oliver Ivanoviqit është bërë me dijeninë, mbase edhe me urdhrin e Vuçiqit.

Pavarësisht këtyre, BE-ja ua ka hequr vizat të gjitha shteteve të Ballkanit përpos Kosovës. Pra, kjo nuk ka të bëjë shumë me kritere teknike. Ka të bëjë kryekëput me kushtëzime politike për interesa të Serbisë.

Në këto rrethana, edhe ne duhet ta “rishqyrtojmë dashurinë” tonë për Evropën. Të heqim dorë nga modeli qeverisës i bajraktarëve dhe ta bëjmë shtetin funksional, më me shumë mundësi punësimi. Me shkolla e shëndetësi me cilësore, në mënyrë që të rinjve t’u rikthehet shpresa se edhe këtu mund ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen.

Në këto kushte festimi i Ditës së Evropës të marrë fund dhe të mos improvizohen skena sarkastike si kjo e sotmja.

Sidoqoftë, gëzuar edhe sivjet festa më idiote që ka kalendari i festave zyrtare të Kosovës!/Insajderi.com