Gjakmarrje: Gjykata gjermane dënon me burg të përjetshëm 23-vjeçarin shqiptar

Gjakmarrje: Gjykata gjermane dënon me burg të përjetshëm 23-vjeçarin shqiptar

Ashtu siç kishte kërkuar Prokuroria, edhe Gjykata gjermane e Verden e dënoi 23 vjeçarin shqiptar me burgim të përjetshëm. Ai vrau bashkëkombësin e tij përpara syve të vajzës minorene në një shkollë publike, shkruan “Der Spiegel”.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 9 janar 2017 në një shkollë publike të Visselhövede. Agresori 23 vjeçar, përpara syve të vajzës, qëlloi për vdekje 46 vjeçarin Kujtim Prenga, ish-oficer i Policisë Ushtarake, i cili mesnatën e 30 dhjetorit të vitit 2011 vrau në një lokal me muzikë në Kamëz 28-vjeçarin Armando Frroku. Edhe pse Gjykata nuk e përdori fjalën “gjakmarrje” ose “hakmarrje”, u pa e qartë se dënimi maksimal erdhi për shkak të kësaj vepre, përcjell albinfo.ch.

Viktima

Prenga atëherë 41-vjeçar punonte si roje sigurimi në lokalin me muzikë, kur i riu, i cili dyshohej se ishte nën efektin e pijeve alkoolike pati një sherr për të cilin ndërhyu si roje sigurie Kujtim Prenga. Në sherr e sipër, Prenga qëlloi Armando Frrokun duke e lënë të vdekur. Ai u arrestua pas ngjarjes dhe deri në vitin 2016 ka qenë në burg.

Por vrasja që ndodhi në lokal, për të cilën Prenga u dënua me burg pasoi me një tjetër tragjedi se gruaja e tij humbi jetën rreth 1 vit pas burgosjes së bashkëshortit duke lënë dy fëmijë të mitur jetimë. Ajo vdiq pasi e zuri korrenti.

Në muajt e parë të vitit të kaluar Kujtim Prenga u largua në drejtim të Gjermanisë. Raportohet se ai ishte strehuar në një kamp ku kishte kërkuar azil bashkë me familjen e tij, me frikën e një hakmarrje të mundshme – gjë që fatkeqësisht ndodhi.