Gjakovarët dynden në Shkugëz, Gjini dërgon policinë për t’i shpërndarë njerëzit

Gjakovarët dynden në Shkugëz, Gjini dërgon policinë për t’i shpërndarë njerëzit

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, njoftoi se ka dërguar policinë për të shpërndarë njerëzit të cilët kishin mësyrë parkun e Shkugëzës për të kaluar ditën e sotme.

Gjini ka thënë se kjo është sjellje e papërgjegjshme ndërsa kërkoi që të respektohen të gjitha masat.

Kreu i Gjakovës tha se njerëzit duhet ta kuptojnë që nuk janë në pushim vjetor dhe as në ndonjë festë, ndërsa shtoi se ka pasur një fluks njerëzish në Shkugëz.

“Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz. Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme. Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe”, tha Gjini.

Sipas tij, shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët.