“Gjasat janë minimale që të jetë kontaminuar uji në Deçan”

“Gjasat janë minimale që të jetë kontaminuar uji në Deçan”

Ushtruesi i detyrës së menaxherit në kompaninë “Hidrodrini” në Deçan, Petrit Jonuzaj, thotë se gjasat janë minimale që banorët e kësaj komune të jenë helmuar nga kontaminimi i ujit, transmeton Insajderi.

Ai deklaron se si kompani kanë qenë të kujdesshëm dhe janë përpjekur që mos përzihet uji me ujërat e zeza, megjithatë nuk përjashton mundësinë për kontaminim të ujit.

“Komuna e Deçanit furnizohet me ujë prej rënies së lirë pasi bëhet kryesisht prej bjeshkëve që i kemi këtu. Bjeshkët e kanë burimet e veta të cilat janë të mbyllura dhe janë të punuara me standarde të ujësjellësit të cilat janë punuar prej shumë vitesh dhe menaxhohen nga Hidrodrini dhe shpërndarja e ujit tek qytetarët bëhet nga disa rezervuarë – të cilët janë të mbyllur dhe monitorohen nga ne”.

Jonuzaj në Info Magazine thekson se për një helmim të llojit të tillë pati adresime edhe para tri javëve.

“Para tri javëve kemi pasur adresim për një lloj helmimi të tillë sikur ky që po ndodh tani por pas rezultateve për kualitetin e ujit është ardh deri tek përfundimi që uji i pijshëm është në rregull dhe se i plotëson standardet për pije”.

Jonuzaj mes tjerash thotë asnjëherë më parë uji në Deçan nuk ka ndodhur të jetë i ndaluar për shkak të dyshimit për materie kimike ose baktere teksa bëri të ditur se gjithmonë kujdesën që të bëjnë testime për ujin.

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, dy prej të cilëve kanë vdekur, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji.

Dy rastet e vdekjeve janë cilësuar si të dyshimta, ndërkaq trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore./Insajderi.com