Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka deklaruar se gjasat që çështje liberalizimit të vizave të këtë çfarëdo lëvizje gjatë gjashtë muajve të para të vitit 2021 janë të pakta, njofton Insajderi.
Kjo, sipas tij, jo sepse Portugalia nuk do e mbështetë këtë çështje, por sepse Kosova nuk i ka bindur disa shtete skeptike se e ka njëmend luftën kundër korrupsionit, dhe se lëvizja e lirë vazhdon të jetë çështje delikate brenda Bashkimit Evropian, në veçanti nën rrethanat e imponuara nga pandemia.
Nga ana tjetër, sipas Shashës Portugalia do këtë duar të plota gjatë Presidencës së saj.
“Portugalia do këtë duar të plota gjatë Presidencës së saj. Në gjashtë muaj, ndër të tjera, ajo synon:
– Të fillon zbatimin e pakos buxhetore prej 1.8 TRILION EURO në të gjitha shtetet anëtare të BE-së;
– Të kujdeset për administrimin efikas të vaksinimit COVID-19 të 450 milion qytetarëve të BE-së dhe të sigurohet vaksinimi falas edhe për vendet e varfra;
– Të avancoj zbatimin e Agjendës së Gjelbër, me theks të veçantë në tranzicionin energjetik dhe zbatimin e instrumenteve financiare në bashkëpunim me EIB;
– Të thelloj Unionin Monetar dhe Ekonomik, në veçanti përmes themelimit të Skemës Evropiane për Garantimin e Depozitave dhe Unionit të Tregut Kapital;
– Të siguroj konsensusin e nevojshëm për dakordimin mbi Paktin e Ri të Migrimit;
– Të shtyj për përpara diskutimet për krijimin e Unionit Evropian për Shëndetësi;
– Të organizoj Samitin Social me qëllim të fuqizimi të modelit social Evropian;
– Në skenën globale, të intensifikoj marrëdhëniet BE-Afrikë”, ka shkruar ndër të tjera ai./Insajderi.com