Gjashtë ditë pas dështimit në PISA, Rexhep Hoti ndan mirënjohje për drejtorët e shkollave

Gjashtë ditë pas dështimit në PISA, Rexhep Hoti ndan mirënjohje për drejtorët e shkollave

Gjashtë ditë pas publikimit të rezultateve të testit PISA – në të cilin test u dëshmua gjendja e mjerueshme e arsimit në Kosovë, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti është hedhur në aksion.

Sipas rezultateve të OECD, në lexim, matematike dhe shkencë Kosova u radhit në vendin e tretë nga fundi. Kosova, e la mbrapa vetëm Republikën Domenikane dhe Filipinet.

E gati një javë pas dështimit të radhës së Kosovës në PISA, njëri prej zyrtarëve më të lartë të arsimit në Kosovë ka shpërblyer drejtorët e shkollave.

Në një vizitë që i bëri Komunës së Malishevës të hënën, sipas një komunikate të zyrës së tij, Hoti është ndarë i kënaqur me punën dhe përkushtimin e drejtorëve të shkollave në këtë komunë.

“Ne së bashku me ju kemi realizuar një program nga i cili janë shpallur gjithsej 44723 fitues në garën nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë. E gjithë jo punë nuk ka qenë e lehtë dhe gjatë rrugës jemi përballur edhe me sfida mirëpo ato i kemi kaluar me ndihmën e secilit prej jush. Malisheva ka gjithsej 2670 fitues në të dyja garat në të tria nivelet”, tha Hoti.

Sipas komunikatës së Zyrës së Koordinatorit Nacional, Rexhep Hoti ndau mirënjohje për drejtorët e shkollave, drejtorin dhe stafin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Malishevë.