Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi, thotë se deri më tani gjashtë mijë kontribuues janë më pak në Trust krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, njofton Insajderi.
Demi shprehet se stimulimi nga Qeveria për të futur në skemë të punësuarit që nuk kanë qenë më herët e ka reduktuar këtë diferencë, por pandemia ka ndikuar në uljen e të punësuarve që, edhe jo në shifra zyrtare, thotë se mund të jetë mes 20 e 40 mijë personave.
“Këtë vit ne kemi pasur raste që të raportuar si të punësuar, por të pa paguara kanë kaluar edhe 30 mijë sosh, që janë raportuar, por nuk janë bërë pagesat për ta. Në mesatare nuk na rezulton deri në këtë moment ndonjë devijim shumë i madh. Në mesatare kanë kontribuar krahasuar me vitin e kaluar rreth 6 mijë kontribuues më pak, por ne duhet të shohim mbylljen komplet të këtij viti për të bërë krahasimet e çdo muaji krahasuar me një vit më parë apo edhe dy-tre vite më parë. Me këto shifra nuk duket se efekti i pandemisë ka lënë pasoja… Stimulimi për të futur në skemë të punësuarit që nuk kanë qenë më herët e ka reduktuar këtë diferencë, por pandemia ka ndikuar në uljen e të punësuarve… që mund të jetë mes 20 e 40 mijë”, thotë Demi.
Zëdhënësi Demi ka treguar edhe për kategoritë e kontribuuesve ndër vite me paga të larta dhe të ulëta dhe për shumën që do t’u takon atyre nga 10 përqindëshi.
“Prej 501 euro e deri në 1000 euro në vitin 2019 kemi pasur 87 mijë e 98 kontribuues që përbënin 24 përqind të të gjithë kontribuuesve. Deri në 250 euro kanë qenë 34 përqind e kontribuuesve ose 124 mijë e 917, ndërsa nga 251 deri 500 euro kanë qenë 36 përqind e kontribuuesve që përbëjnë shumicën prej 130 mijë e 361. Kurse mbi 1000 euro janë vetëm 6 përqind ose 20 mijë e 955 kontribuues… Deri në 100 euro kontribute kanë qenë 104 mijë e 137 kontribuues ose 16 përqind e të gjithë kontribuuesve… Nën pagë mesatare i kemi 34 përqind e kontribut dhënësve për vitin 2019. Po ashtu një shifër shqetësuese për pensionet e tyre të ulëta në të ardhmen. Kur llogaritëm kush sa do të tërheq nga 10 përqindëshi, gati gjysma e kontribuuesve, 49 përqind, do të marrim më së shumti 100 euro, që është pak… Ndërsa, 16 përqind prej kontribuuesve do të marrin maksimumi 10 euro. 104 mijë e 137 kontribuues kanë bilën deri 100 euro që i bie maksimumi deri 10 euro”, theksoi ai. /Insajderi.com