Gjashtë tërmete godasin Kosovën, Mustafa jep detaje

Gjashtë tërmete godasin Kosovën, Mustafa jep detaje

Gjashtë tërmete kanë goditur në një periudhë të shkurtër kohore regjionin e Prishtinës, njofton Insajderi.

Kështu bën të ditur për Gazetën Online Insajderi, drejtori i Institutit Sizmik të Kosovës, Shemsi Mustafa, i cili njoftoi se sot rreth orës 8:00, Kosova është goditur nga një tërmet me magnitudë 2.1 sipas shkallës së Rihterit.

Sipas tij, thellësia hipoqendrore ishte katër kilometra, ndërsa epiqendra e tij dhe e tërmeteve tjera pasuese me intensitet më të ulët, ishte në jug-perëndim të Prishtinës.

“Bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 10/10/2020 n’ora 8:01 sipas kohës lokale, Kosova është goditur nga një tërmet me magnitudë 2.1 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet IV ballë të Merkalit. Thellësia hipoqendrore ishte 4 km. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhë 6 tërmete me një intensitet të ulët 1.5-2.3 shkallës Rihter. Epiqendra e këtyre tërmeteve ishte në jug-perëndim të Prishtinës, zona Bardhi madh-Batushë-Sllatinë”, ka thënë Mustafa për Insajderin.

Ai tutje tha se tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Regjionit të Prishtinës. /Insajderi.com