Gjashtë vjet nga Marrëveshja Thaçi – Daçiq

Gjashtë vjet nga Marrëveshja Thaçi – Daçiq

Janë bërë gjashtë vjet nga arritja e Marrëveshjes së parimeve bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër dhe Ivica Daçiq në atë kohë kryeministër, më 19 prill të vitit 2013, shkruan Gazeta Insajderi.

Këtë marrëveshje e ka kujtuar deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se kjo është marrëveshja më e dëmshme në historinë e pasluftës për Republikën e Kosovës.

“Kjo marrëveshje synonte të instalonte bosnjëzimin e Kosovës, me ç’rast siguronte autonomi për serbët në Kosovë. Ekonominë, sigurinë e shëndetësinë dhe arsimin, sipas kësaj marrëveshje, duhet ta kontrollonin vetëm serbët, në vendbanimet me shumicë serbe”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje Haxhiu është shprehur se “Fillimisht decentralizimi i ndau banimet serbe nga ato shqiptare në baza etnike, e me këtë marrëveshje u krijua mundësia për një bashkim të këtyre komunave, duke krijuar një zonë autonome me shumë kompetenca, një pushtet praktikisht të veçantë, sfidues ndaj unitetit republikan të Kosovës”.

Haxhiu ka kujtuar se Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë këtë marrëveshje pas kundërshtimeve të qytetarëve, raporton Insajderi.

“Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit të fuqishëm qytetar e opozitar në Kuvend e jashtë tij e hodhi poshtë këtë marrëveshje tradhtare, e cila shkelte në 23 nene frymën e Kushtetutës, por ky projekt e projekte tjera të dëmshme vazhdojnë t’i sillen Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se “krahas kërcënimeve të tilla edhe më i fuqishëm është vullneti i qytetarëve që sot sikur atëherë nuk do të lejojë as kryeministra e as presidentë që ta cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.

Marrëveshja e 19 Prillit, nga ndërmjetësuesi, në këtë rast Bashkimi Evropian, ishte cilësuar si e para në kuadër të procesit të gjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane. /Insajderi.com