
Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të Task Forcës së krijuar për përmirësimin e gjendjes në trafik, me shtimin e prezencës së policisë në trafik, vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje.
Sipas njoftimit nga policia, numri më i madh i gjobave është dhënë për tejkalimin e shpejtësisë si njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale.
“Kjo TASK-FORCË policore do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave të saja, e që janë përmirësimi i sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve.
Policia e Kosovës, sikurse edhe më parë vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.