Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që në Qendrën e Numërimit të Rezultateve gjatë kësaj jave ta përfundojë numërimin e të gjitha votave, përcjell Insajderi.com.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se janë duke u verifikuar pakot e supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga diaspora.
Tutje, ai tha se shpallja e votave bëhet pas numërimit edhe të votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me kusht.
“KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Ato janë duke u verifikuar. Pasi të përfundojnë këto procedura, atëherë do të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre të ardhura me postë, që do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim. Planifikojmë ta përmbyllim këtë proces gjatë kësaj jave”, tha Elezi.
Po ashtu, Elezi tha se për periudhën e fushatës për balotazh, do të vendosë KQZ-ja në mbledhjen e radhës.
“Duke ditur që në bazë të ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale duhet të mbahet katër javë pas raundit të parë, KQZ-ja është e përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me zgjedhjet për kryetar të komunave, në mënyrë që të arrijmë në afat ligjor.
Ai u shpreh se shpallja e rezultateve për raundin e parë bëhet pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave në KQZ.
“Deri te shpallja vijmë pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në QNR, pas numërimit të votave me kusht, atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Kështu pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja mund të shpallë fillimisht e pastaj të certifikoj zgjedhjet”.
Ndryshe, të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet lokale në 38 komuna, ku në nëntë prej tyre, disa kandidatë kanë fituar pa balotazh./Insajderi.com