Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se gjatë gërmimeve të fundit në Kizhevak të Serbisë janë gjetur kafkat e dy personave, përcjell Insajderi.
Ai ka thënë se të martën pritet të bëhet tërheqja e trupave si dhe marrja e mostrat për AND.
“Deri më tani në sipërfaqe pas largimit të një shtrese të dheut dhe të gurëve kanë dal dy kafka dhe minimum dy persona për të cilët duhet të bëhet tërheqja e tyre dhe të bëhet inspektimi mjeko-ligjor dhe të merren mostrat për ADN”, theksoi Gërxhaliu për EO.
Ai tha se edhe dy javë do të vazhdojë procesi i gërmimeve në këtë pjesë dhe se nuk dihet numri i trupave që dyshohet se mund të jenë aty.
Gërxhaliu shtoi se dyshohet që këta trupa i takojnë grupit të Rezallës, e cila ndërlidhet me pjesën e gjetur nga gjurmimet në Rudincë.
“Edhe dy javë kemi punë, sa i përket numrit nuk e preferoj ta them, por mund të them që pala serbe e cila thotë herë 14 e herë 16, por doemos e dimë që ky grupacion i takon grupit të Rezallës e cila ndërlidhet me pjesën e gjetur në vitin 2014 në Rudnicë, bile prej dy identifikimeve të reja i takojnë atij grupacioni që ka qenë një investigim i yni i mëhershëm që kemi dyshuar, pra është vërtetuar e njëjta. Dhe kemi po ashtu një ribashkim sepse gjysma e trupit të rastit të dorëzuar më herët ka dal tash në Kizhevak”, ka pohuar ai.
Që nga nisja e punës në Kizhevak, Gërxhaliu konfirmon se një ekip prej katër personave ka bërë kontroll të detajuar të terrenit.
Të shtunën, lokacioni i varrezës masive, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur. /Insajderi.com