Gjenden mbetje mortore të viktimave të masakrës së Rezallës në Kizhevak

Gjenden mbetje mortore të viktimave të masakrës së Rezallës në Kizhevak

Në Kizhevak të Serbisë është konfirmuar ADN-ja e mbetjeve mortore të zhvarrosura.

Mbetjet i përkasin viktimave të masakrës së Rezallës, të ndodhur më 5 prill 1999, kanë konfirmuar nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, tha për KSP se lokacioni i varrezës masive në Kizhevak është prioritet, por bën të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti do të këtë gërmime edhe në Prizren, Gjakovë dhe ka mundësi rikthimi në Mitrovicë.

“Ka disa lokacione të tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës tani më të shënjuara të cilat do të trajtohen në ditët në vijim për shkak të përmirësimit të kushteve klimatike. Paraprakisht gjatë këtij viti veç se është punuar janë gërmuar 3 lokacione, lokacioni i varrezave të qytetit të Gjakovës, në Brekoc të Gjakovës ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi viktimë e luftës.

Lokacioni në “Arbanë” të Prizrenit gjithashtu janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi dhe lokacioni në Mitrovicë të besimtarëve myslimanë në të cilat nuk ka pasur gjetje mortore, por ka disa lokacione pa përjashtuar mundësinë rikthimit në këto lokacione”, pohoi ai.

Gara po ashtu njoftoi se nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kizhevak janë identifikuar dy persona, me ç’rast i kanë njoftuar familjet dhe pritet që këto mbetje mortore t’u kthehen familjeve.

Më 5 maj të këtij viti kanë rifilluar gërmimet në Kizhevak të Serbisë, gërmime të cilat ishin ndërprerë për shkak të kushteve klimatike.

Pjesë e ekipit të Kosovës janë, dy antropologë, Halit dhe Valon Hyseni, dy mjekë të mjekësisë ligjore Naim Uka, Musa Gashi, si dhe dy fotografë mjeko-ligjorë, Bedri Rexha dhe Driton Spahiu./Insajderi.com