Disa mjete shpërthyese janë gjetur në fshatin Preoc afër lagjes “Veternik” të Prishtinës, gjatë mëngjesit të sotëm, njofton Insajderi.
Siç bën të ditur Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe ekipet e specializuara të PK-së për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga PK.
Rastin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 08:40 është pranuar informata se në një vend punishte në fshatin Preoc, janë gjetur disa mjete të dyshimta që dyshohet të jenë mjete shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual”, ka thënë ajo.
“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”, shtoi Ahmeti. /Insajderi.com