46-vjeçari nga Vitia, Heset Rrahmani, i cili ditë më parë ishte raportuar i zhdukur, është gjetur i vdekur në një humnerë në Han të Elezit, ku edhe kishte rënë me veturën e tij, transmeton Insajderi.
Kështu bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas familjarëve të viktimës, me datë 14 janar, Heset Rrahmani prej Kosovës ka shkuar në Shkup përmes Hanit të Elezit rreth orës 14:00. I njëjti është kthyer nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut të njëjtën ditë.
“Është kthyer në ora 17:46 min me të njëjtën datë në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, ka kaluar kufirin me dokment të Maqedonisë, personi ka dy shtetësi”, ka thënë ai.
Ndërkohë, që nga ajo ditë nuk dihet për fatin e tij.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllimet familjes Rrahmani nga Debelldehu pas gjetjes së trupit të pajetë të qytetarit vitias, Heset Rrahmanit, i cili ishte raportuar si i zhdukur me 14 janar të këtij viti.
“E nderuara familja Rrahmani, me dhimbje të thellë morëm lajmin se anëtari i familjes suaj është gjetur i pajetë. Në këtë rast të pikëllimit, ju lutëm që në emrin tim personal dhe të komunës së Vitisë, të pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, u shpreh kryetari Haliti. /Insajderi.com