Është gjetur pa shenja jete një 55-vjeçar nga Ferizaj, i cili rezultonte i humbur nga dita e mërkurë.
Siç bën të ditur policia, viktima është gjetur i vdekur brenda veturës në një fushë afër fshatit Bablak-Ferizaj.
“Me datë 16.09.2021, rreth orës 21:00 në Stacionin Policor në Ferizaj është raportuar rasti “Person i zhdukur” i moshës 55 vjeçar ( m/Kosovar). Sot me datën 17.09.2021 Njësitet Policore kanë ndërmarrë veprimet operative/hetimore, ku rreth orës 11:00 Policia ka pranuar informacione se një veturë me një person brenda veturës gjendet në fushat afër fshatit Bablak-Ferizaj”.
“Të gjitha Njësitet relevante Policore, përfshirë edhe Emergjencën e Ferizajt janë paraqitur në vendin e ngjarjes, ku nga ana e ekipit mjekësor është konstatuar vdekja e personit në veturë”, thuhet në njoftim.
Policia shton tutje se “pas verifikimit të trupit të pajetë, është vërtetuar se kemi të bëjmë me personin e njëjte, i cili një ditë më herët nga anëtarët e familjes është raportuar në Polici si person i zhdukur”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore të cilët e kanë tërhequr trupin e pajete, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajete është dërguar në IML në Prishtinë për obduksion. Në bazë të hetimeve preliminare të Njësive Policore dhe ekipit të IML-së nuk është vërejtur ndonjë shenjë dhune në trupin e personit të pajete”, vijon njoftimi.
Tutje, Policia thotë se rasti mbetet të trajtohet më tutje nga Sektori i Hetimeve Rajonale të DRP-së Ferizaj./Insajderi.com