Gjendja në PTK: Gjykata Themelore ka caktuar seancë për të hënën

Gjendja në PTK: Gjykata Themelore ka caktuar seancë për të hënën

Federata Sindikale e Punëtorëve të PTK-së, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar seancën për padinë që FSP e PTK-së i ka bërë kompanisë Dardafon.net ( Z-Mobile).

Sipas njoftimit, seanca ka të bëjë me vërtetimin e nutelitetit dhe kërkesës për masa të sigurimit.

Federata Sindikale e PTK-së, ka shpresë që kësaj radhe drejtësia do të jetë në favor të ruajtjes së rendit publik.

Kryetari i Federatës Sindikale, Lamih Balaj, ka konfirmuar për Insajderi.com se do të marrin pjesë në këtë seancë.

“Unë besoi që Gjykatat tona janë të pavarura dhe besoj fuqishëm se do te triumfoj drejtësia dhe zhvatësit do ta marrin përgjigjen e merituar nga gjykata”, tha Balaj për Insajderin.

Po ashtu edhe avokati, Gatoar Mjeku për Insajderin, ka thënë se nesër në ora 10:00 do të marë pjesë në seancën gjyqësore.

“Po do të marrë pjesë nesër në ora 10:00 në këtë seancë”, tha ai.

Insajderi.com, para disa javësh në një artikull të publikuar kishte raportuar për situatën në të cilën ndodhët Telekomi Kosovës.

Telekomi i Kosovës po përballet me një krizë financiare që është e rrezikshme për të mbetur mijëra punëtorë papunë.

Punëtorët e kësaj kompanie përmes një proteste të organizuar kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shpëtojnë këtë gjigant ekonomik që Kosovës në të kaluarën i ka sjellë të ardhura të mëdha buxhetore.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik , Blerim Kuçi, kanë premtuar se çështja komplekse e Telekomit do të zgjidhet.

Gjithë kjo situatë kishte ardhur pas bllokimit të xhirollogarive të Telekomiit, pasi kompania publike e Telekomit ka një borxh rreth 30 milionë euro ndaj Dardafon.net për mosrespektim të një marrëveshjeje e nënshkruar 10 vite më parë.

Gjykata e Arbitrazhit e kishte shpallur dënimin milionësh në dobi të Dardafon.net, që për Telekomin mund të jetë fatale. /Insajderi.com/