Gjendja pas vërshimeve – Hoti sot diskuton me kryetarët e komunave

Gjendja pas vërshimeve – Hoti sot diskuton me kryetarët e komunave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, sot (e enjte) do të zhvillojë një takim me kryetarët e komunave për të diskutuar rreth gjendjes së krijuar pas vërshimeve në disa pjesë të vendit, njofton Insajderi.

Në këtë takim virtual do të marrin pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.

Për takimin kanë njoftuar nga qeveria në detyrë, përmes një njoftimi për medie.

“Sot, Kryeministri në detyrë, z. Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, z. Anton Çuni dhe ministren e Financave, znj. Hykmete Bajrami, do të realizojnë një takim virtual me kryetarët e komunave, ku do të diskutohet për gjendjen pas vërshimeve. Takimi Virtual do të fillojë në orën 10:00 dhe mund ta ndiqni LIVE nga FB i Kryeministrit Hoti”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se, përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, vlera e të cilave nuk dihet akoma. Në mesin e komunave që janë prekur nga këto vërshime janë: Fushë Kosova, Malisheva, Klina, Drenasi, Kamenica, Vushtrria, Shtimja, Gjakova, Drenasi, etj./Insajderi.com