Ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, ka treguar se si amerikanët ishin të gatshëm që të futeshin edhe me trupa tokësore në Serbi nëse Sllobodan Millosheviqi nuk do të dorëzohej, transmeton Insajderi.com.
Kështu është shprehur ai në një intervistë në “Opinion” të Klan TV-së, ku Millosheviqin e përshkruan “si një gangster, si një lider mafie”.
Në këtë intervistë, Clark ka rrëfyer edhe për prapaskenat gjatë luftës, për vendimet që u morën për bombardimet, marrëdhëniet me drejtuesit e UÇK-së.
“Ishte si një gangster, si lider i mafies. I manipulonte dhe i detyronte njerëzit të bënin gjëra, pa folur fare. ‘S’po them ta vrasësh. Bëj atë që është e nevojshme’. Dhe faji u mbetej atyre”, tha ai teksa përshkruajti Millosheviqin, për të cilin tha se kishte frikë nga ushtria amerikane.
“Në samitet e NATO-s nuk është përmendur asnjëherë ndërhyrja tokësore”, tha ai duke treguar se plani ekzistonte dhe trupat do të futeshin nga dy shtete fqinje të Serbisë (Maqedonia dhe Hungaria) dhe Shqipëria.
“Ne e kishim planin tjetër që fushata e bombardimeve të mos vazhdonte pa fund. Po përgatitnim planin për futje të disa trupave tokësore. Disa do të hynin nga Shqipëria, disa nga Maqedonia dhe disa nga Hungaria. Nuk do të ndaleshim deri në dorëzimin e Serbisë, apo Jugosllavisë. Nuk do të ndaleshim asnjëherë, nëse Millosheviq nuk do të dorëzohej. E keqja ishte se ai nuk po e kuptonte me cfarë po përballej. Rrinte me një pije në dorë në shtëpinë e tij”, tha ai. /Insajderi.com